Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të mbajtur nga klubi i Prishtinës, është zgjedhur presidenti i ri i klubit, nën- kryetari dhe anëtarët e Bordit.
Remzi Ejupi, pas dy dekadave qëndrim tek klubi më i trofeshëm në Kosovë, është larguar nga posti i Presidentit të klubit.
Këtë detyrë do ta marrë Rrahman Haradini, i cili është edhe aksionari më i madh në skuadrën e Prishtinës.
Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar drejtori sportiv i FC Prishtinës, Artan Osmani.
“Rrahman Haradini mban pothuajse 80 për qind të aksioneve, por në klubin e Prishtinës figurojnë edhe pesë aksionarë tjerë”, u shpreh Osmani.
FC Prishtina njoftoi se nga ky Kuvend, aksionarë të klubit mbesin Rrahman Haradini, Ragip Mustafa, Hashim Deshishku, Hakif Gashi, Beqir Qerkezi dhe Fatos Hoxha.
Në fund u zgjodh bordi i ri drejtues me kryesues Rrahman Haradinin me dy zëvendësuesit, Ragip Mustafa dhe Hashim Deshishku, si dhe anëtarë të bordit, Beqir Qerkezi dhe Fatos Hoxha.
Klubi i Prishtinës në mbledhjen e mbajtur sot e ka shpallur “President Nderi” presidentin e deritashëm, Remzi Ejupin, të cilin e kanë cilësuar si presidentin më të suksesshëm të klubit, me 16 trofe të fituar: 5 tituj kampioni, 5 trofe të Kupës së Kosovës dhe 6 trofe të Superkupës.
Ndërkaq, FC Prishtina në faqen e saj zyrtare njoftoi se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të klubit u aprovua bartja e aksioneve të Remzi Ejupit, Naim Ejupit, Fikret Maqastenës dhe Sinan Vllasaliut te aksionarët Rrahman Haradini për pjesën më të madhe, kurse pjesa tjetër e mbetur do t’i barten aksionarit, Ragip Mustafa.
Gjithashtu aksionet e Arbnor Morinës do t’i kalojnë aksionarit Hashim Deshishku. Kurse, aksionet e Ahmet Beselicës t’i kalojnë Hashim Deshishkut dhe Rrahman Haradinit.
























