Hija e pushtimit rus të Ukrainës mbuloi të premten ceremoninë që shënoi ditën e Pavarësisë së Estonisë.
Presidentja e Komisionit Evropian dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ishin në Talin për eventin, duke treguar mbështetjen për ish-shtetin sovjetik, që kërkon të shkëputet nga influenca ruse.
“Duhet të vazhdojmë t’i japim Ukrainës mjete për t’u mbrojtur, derisa rusët t’i japin fund kësaj lufte dhe të largohen nga vendi. Prandaj ne qëndrojmë përkrah Ukrainës më të vendosur se kurrë, duke e mbështetur atë ekonomikisht dhe ushtarakisht”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
“Disa shqetësohen se mbështetja jonë për Ukrainën rrezikon përshkallëzimin. Por nuk ka opsione me rrezik zero dhe rreziku më i madh është nëse Putin fiton”, u shpreh Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s
Liderët e BE-së dhe NATO-s morën pjesë në ceremoninë ushtarake të mbajtur në Talin. Estonia dhe fqinjët e saj baltikë kanë qenë ndër mbështetësit më të fortë të Ukrainës që nga nisja e pushtimit.