Zgjedhjet lokale në komunat veriore, po mbahen në një atmosferë tensionesh dhe në një klimë të brishtë të sigurisë. Nga partia në pushtet thonë se nuk presin të ketë ndonjë incident. Kurse ish-diplomatët thonë se tensionimi nuk i shkon për shtati as Serbisë. Edhe opozita, mendon se zgjedhjet duhet të mbahen.
Sa më shumë ofrohej 23 prilli, si datë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, aq më shumë shtoheshin zërat që mund të ketë tensione në veri të vendit.
Njohësit e çështjeve të sigurisë, kanë potencuar se rreziku vjen nga grupe e persona të instrumentalizuar nga Beogradi.
Në Lëvizjen Vetëvendosje vlerësojnë se ditën e zgjedhjeve, në komunat veriore nuk mund të ketë tensionim të situatës.
Se tensionimi mund t’i kushtojë Serbisë, politikisht e thotë edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho.
Nga partia më e madhe opozitare në vend, PDK, thonë se zgjedhjet duhet të mbahen dhe se i takon qeverisë që të kujdeset për situatën e sigurisë gjatë procesit.
Kjo nuk është hera e parë që komunat veriore shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të tyre.