Sezoni i gripit ka sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve, ku simptomat më të shpeshta përfshijnë teshtima, kollitje, temperaturë dhe bllokim të hundëve.
Një gjë të tillë e bëri të ditur Vjollca Zeqiri, mjeke familjare, në një intervistë në programin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK. Ajo foli mbi ndikimin e kësaj vale gripi dhe për gjendjen shëndetësore të pacientëve që paraqiten në qendrat shëndetësore.
Sipas Zeqirit, personat me sëmundje kronike, veçanërisht ata që vuajnë nga astma apo bronhiti, janë më të rrezikuar dhe mund të përjetojnë përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
“Trajtimi është simptomatik dhe përfshin analiza dhe ekzaminime të përgjithshme. Nuk përshkruajmë antibiotikë për gripin, por përdorim analgjetikë ose antipiretikë për të lehtësuar simptomat. Nëse ka ndonjë komplikim, si pneumonia, trajtimi bëhet në përputhje me gjendjen specifike të pacientit”, shpjegoi doktoresha Zeqiri.
Ajo inkurajojë qytetarët të konsultohen me profesionistë të shëndetit nëse shfaqin simptoma të gripit, veçanërisht ata që kanë sëmundje të tjera kronike.