Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka deklaruar se në Kuvendin e sotëm të partisë pritet të ofrohet dorëheqja e kryetarit Lumir Abdixhiku, ndërsa delegatët do të vendosin përmes votëbesimit për fatin e tij politik. Rukiqi ka theksuar se ai personalisht do të votojë kundër dorëheqjes së Abdixhikut.
“Agjenda që është dërguar për Kuvendin tashmë e përcakton rrjedhën e procesit. Pra, do të ketë një ofrim të dorëheqjes nga kryetari Abdixhiku dhe pastaj është në dorën e delegatëve që, në formë të votëbesimit, të vendosin për qëndrimin e kryetarit të LDK-së. Vota ime do të jetë kundër dorëheqjes së zotit Abdixhiku,” ka thënë Rukiqi para Kuvendit.
Ai e ka arsyetuar qëndrimin e tij me nevojën për stabilitet në udhëheqjen e partisë dhe ka theksuar se ndryshimet e shpeshta në krye të partive dëmtojnë organizimin dhe performancën zgjedhore.
“Partitë politike duhet të ruajnë një farë stabiliteti në udhëheqje. Ky stabilitet pastaj duhet të përkthehet në një riorganizim dhe qëndrueshmëri në raport me të gjitha proceset. Nëse partitë i ndërrojnë kryetarët çdo katër-pesë vjet, atëherë asnjëherë nuk ka stabilitet dhe as rezultat zgjedhor të kënaqshëm. Pa stabilitet në lidership, është vështirë të arrihen rezultate të mira zgjedhore,” theksoi ai.
Rukiqi ka shtuar se, megjithëse rezultati i zgjedhjeve të fundit ka qenë i pakënaqshëm, kjo nuk është për shkak të një individi të caktuar, por për shkak të faktorëve të tjerë, duke përfshirë një ambient polarizues dhe garën e pabarabartë.
“Rezultati i kaluar ka qenë i pakënaqshëm, por nuk është si pasojë e një individi të caktuar. Ka shumë faktorë të tjerë, dhe para së gjithash, partitë si LDK-ja kanë pasur sfida nga një ambient polarizues, një ambient që nuk garanton garë të barabartë. Gara e pabarabartë e dhjetorit të vitit të kaluar ka prodhuar edhe një rezultat negativ për partinë tonë,” ka përfunduar Rukiqi.


























