Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gjatë një konference për media në Berlin, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të aleancës perëndimore ushtarake, Scholz tha se shteti i tij mbështet misionin e KFOR-it.
“NATO është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, tha kancelari gjerman, raporton REL.
Më 24 shtator, tensionet u rritën edhe më shumë pasi një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues.
Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 4.353 trupa, 70 prej të cilëve janë nga Gjermania.


























