Gjermania dhe aleatët e saj perëndimorë kanë përgatitur një katalog sanksionesh kundër Rusisë, por nuk do ta zbulojnë atë për të rritur më tej presionin ndaj Moskës, deklaroi kancelari gjerman Olaf Scholz, transmeton Kosova Post.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren daneze Mette Frederiksen, Scholz tha se Gjermania kishte rënë dakord me aleatët e saj në NATO dhe partnerët e Bashkimit Evropian (BE) për masat e mundshme dhe do të veprojnë nëse Rusia kryen agresion të mëtejshëm kundër Ukrainës.
“Kemi vendosur të mos e publikojmë të gjithë katalogun dhe mendoj se ka kuptim”, tha ai.
Scholz theksoi se vendet perëndimore do t’i përgjigjen të bashkuar çdo agresioni të mëtejshëm dhe beson se “këtë mesazh e ka kuptuar Rusia”.
Qeveria gjermane po përballet me presion për të ndryshuar politikën e saj të moderuar ndaj Rusisë dhe të bllokojë projektin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2” për të bindur Kremlinin të tërheqë trupat nga kufiri ukrainas.
Ekonomia më e madhe në BE është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse dhe plani i vendit për të hequr gradualisht energjinë bërthamore ka rritur më tej varësinë e saj. Gjermania importon rreth 55 për qind të gazit dhe rreth 42 për qind të naftës së saj nga Rusia./aa