Njësitë policore të Podujevës kanë realizuar aktivitete të vazhdueshme me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt.
Sipas njoftimit të Policisë së Rajonit të Prishtinës, gjatë dy ditëve të fundit në katër raste të ndryshme, njësitë policore kanë sekuestruar 4 armë zjarri, gjatë kontrolleve të realizuara tek persona të dyshuar, automjete dhe në një aheng.
“Këto veprime janë ndërmarrë në bazë të dyshimeve të bazuara dhe kanë rezultuar në eliminimin e rreziqeve të mundshme për sigurinë publike. Në një rast tjetër, zyrtarët policor të Podujevës kanë parandaluar një rrahje të planifikuar nga disa persona të mitur, pas hetimeve dhe dyshimeve të bazuara për një konflikt të mundshëm. Gjatë ndërhyrjes, janë sekuestruar armë të ftohta”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit e të gjitha rasteve janë proceduar tutje në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.
Tutje në njoftim thuhet se këto rezultate pasqyrojnë përkushtimin e Policisë së Kosovës për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.