Selmani: Qytetarët duhet të kujdesën për shëndetin e veshkave

Në prag të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit të Veshkave, Përfaqësuesja e Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, Siada Selmani në programin e mëngjesit në RTK ka folur për fushatën ndërgjegjësuese për kujdesin ndaj veshkave.

Siada Selmani ka thënë se një nga objektivat kryesore të kësaj dite është nxitja e vetëdijes për problemet që ndodhin me veshkat, si dhe rëndësia e kontrollit të faktorëve që mund të çojnë në dëmtimin e tyre.

“Gjithmonë fillohet me një fushatë ndërgjegjësimi, dhe kjo nuk është vetëm për pacientët që vuajnë nga problemet me veshka, por edhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve të tjerë. Mundohemi që përmes kësaj të vetëdijesojmë qytetarët për kujdesin ndaj veshkave”, ka theksuar ajo.

Selmani ka thënë se një nga aktivitetet kyçe të organizatave për këtë ditë është shpërndarja e broshurave informuese, dhe po ashtu aty qytetarët mund të masin nivelet e sheqerit dhe tensionit të gjakut.

“Sheqeri është faktori kryesor që çon në dëmtimin e veshkave, duke e kaluar në stadet më të rënda të dështimit të veshkave. Po ashtu, tensioni i lartë i gjakut dhe infeksionet urinare janë faktorë të tjerë të rëndësishëm”, ka deklaruar ajo.

Një mesazh i rëndësishëm që Selmani ndau ishte rëndësia e hidratimit të duhur të trupit.

“Për një organizëm të shëndetshëm, është e domosdoshme që të jemi të hidratuar, pasi çdo qelizë e trupit ka nevojë për ujë. Kjo është një porosi e rëndësishme për pacientët, si dhe për çdo individ që dëshiron të kujdeset për shëndetin e tij”, ka thënë ajo.

Dita Botërore e Shëndetit të Veshkave është një mundësi e shkëlqyer për të rritur ndërgjegjësimin global për rëndësinë e kujdesit ndaj veshkave dhe për të nxitur njerëzit të kontrollojnë faktorët që mund të ndikojnë negativisht në to. Ky vit përqendrohet në edukimin për menaxhimin e faktorëve të rrezikut si hipertensioni, diabeti dhe përdorimi i duhur i ujit për të mbajtur funksionet e veshkave në nivele optimale.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika