Komisarii Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, Nebojsha Joviq, ka konfirmuar sot se më 9 janar do të mbahet protesta e serbëve në Mitrovicën e Kosovës, për shkak të, siç tha ai, “tradhtisë së madhe të Aleksandar Vuçiqit”.
Joviq tha se protesta e serbëve do të fillojë në orën 12:01 në mënyrë simbolike, për të ngritur zërin kundër “tradhtisë së madhe të Aleksandar Vuçiqit” dhe “torturës, mburrjes, pasurimit të pakontrolluar, kërcënimeve dhe shantazheve” të Listës Sërpska.
“Qytetarët do të dalin publikisht të dërgojnë mesazh se Aleksandar Vuçiq, me një politikë kaq proshqiptare dhe të dëmshme për serbët në Kosovë, si dhe Lista Sërpska, e cila ishte partner afatgjatë i (Hashim) Thaçit dhe (Ramush) Haradinajt, nuk mund të përfaqësojë më serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Joviq.
Ai shtoi se Lista Sërpska dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq “verifikuan rrethimin” e Mitrovicës së Kosovës dhe “pushtimin” e Veriut.
Serbët nga Kosova do të kërkojnë nga Serbia të caktojë një “negociator-përfaqësues shtetëror” i cili para së gjithash do të respektojë interesat si të Serbisë ashtu edhe të serbëve në Kosovë”, tha Joviq.