Tre terroristë serbë u vranë të dielën që lamë pas në Banjskë të Zveçanit, kur një grup prej rreth 30 personash vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Heroin Afrim Bunjaku.
E gati një javë pas sulmit, trupat e tyre sot janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës nga pjesëtarë të familjeve të tyre.
Dy nga terroristët do të varrosen në Kosovë, gjegjësisht në Leposaviq, ndërsa i treti në Vërnjaçka Banja në Rashkë të Serbisë.
Ndërkaq, burime tregojnë se Serbia u ka kërkuar familjeve të tre të vrarëve që trupat e pajetë t’i dërgojnë në Serbi për varrim.
“Serbia u ka kërkuar familjarëve që, pas tërheqjes së trupave të tre terroristëve nga IML-ja, trupat e pajetë të tyre t’i dërgojnë në Serbi për varrim”, ka thënë një burim klanit.
Megjithatë, burimi ka thënë se familjarët e kanë refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se “janë ndjerë të tradhtuar nga shteti serb”.
Gjithnjë sipas këtij burimi, ideja prapa dërgimit të trupave në Serbi pas tërheqjes nga IML-ja në Kosovë, ka qenë që shteti serb “të bëjë filma” me këtë rast.
Pas rastit të 24 shtatorit, pati reagime të shumta ndërkombëtare. Dje Shtëpia e Bardhë reagoi pasi tha se Serbia ka vendosur trupa ushtarake në numër të madh përreth kufirit me Kosovën.
Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
























