“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe një kompanie, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnje e Hercegovinë, që është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane.
Kështu bëhet e ditur nga Zyra për Kontroll të Aseteve të Huaja.
OFAC siç njihet ndryshe ka bërë të ditur se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut, presidentit të sanksionuar të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska.
Ky sanksionim vjen pikërisht në ditën kur Millorad Dodik e uroi presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për t’i vënë në pah përpjekjet e Dodikut dhe familjes së tij për t’i ruajtur rrjetet e tyre të korrupsionit”, thuhet në këtë njoftim.
Këto sanksione shkuan në adresë të Vlladimir Perishiq dhe kompaninë “Elpring doo Laktaši”.
Zyra për Kontroll të Aseteve të Huaja, tha se Dodiku për vite të tëra e ka përdorur pozitën e tij zyrtare për të mbledhur pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me të birin, Igor.
“Ky korrupsion ka kontribuar në minimin e besimit të publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës dhe në sundim të ligjit”, tha thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv
“Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij, dhe mundësuesit e tij, vazhdojnë t’i përdorin pozitat e tyre të privilegjuara, për ta çrrënjosur besimin e publikut në kornizat rajonale të paqes dhe në institucione që kanë sjellë stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith.
Pas sanksionimit të kompanisë “Kaldera” më 18 qershor 2024, Igor Dodik urdhëroi Millenko Qiçiq, i cili më parë ishte në listën e të sanksionuarve, ta themelonte firmën “Elpring doo Laktaši”, e cila do të shërbente si zëvendësim për “Kaldera”.
Me miratimin e Igorit, Qiçiq e themeloi firmën “Elpring” dhe koordinoi transferimin e të gjitha aseteve dhe operacioneve të kompanisë “Kaldera”, duke përfshirë punonjësit e saj.
Më 18 qershor, pesë kompani të lidhura me familjen e Dodikut u përfshinë në listën e zezë të SHBA-së.
SHBA-të e vendosën Millorad Dodikun, në listën e sanksioneve më 5 janar 2022, sepse ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, mori pjesë në shkeljen, ose pengimin, apo kërcënonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe për aktivitete korruptive.
Dodik ishte sanksionuar më parë më 17 korrik 2017, për pengim ose kërcënim për pengim të Marrëveshjes së Dejtonit.