Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, e ka kujtuar doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Senavicius, i cili është vrarë në veri të Kosovës 10 vite më parë, përcjell KosovaPost.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Barbano ka thënë se një dekadë më vonë, ky krim mbetet i pazbardhur.
“Një dekadë më vonë, ky krim mbetet i pazbardhur dhe autorët nuk janë mbajtur përgjegjës. Audrius dhe familja e tij meritojnë drejtësi. EULEX-i dhe BE-ja presin drejtësi. Kosova dhe rajoni kanë nevojë për drejtësi”, ka shkruar Barbano.
“Kjo ceremoni të na kujtojë edhe për pasojat e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në rajon dhe për urgjencën për t’u ripërkushtuar ndaj kauzës së pajtimit dhe sundimit të ligjit si mënyra më e mirë për të nderuar sakrificën përfundimtare të kolegut tonë Audrius”, ka shtuar ai.
























