Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media të mbajtur sot në selinë e Aleancës Veri-Atlantike ka folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Stoltenberg ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore dhe nga veprimet që mund të çojnë në eskalim të mëtejshëm të tensioneve.
“Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor muajt e fundit. Mesazhi im është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore dhe nga veprimet që mund të eskalojnë tutje tensionet në rajon. Kur vjen puna për Kosovën, rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, dhe inkurajoj Prishtinën dhe Beogradin që të angazhohen në mirëbesim në dialog”, ka thënë Stoltenberg.
“Si rezultat i sulmeve që kemi parë në Kosovë vitin e fundit, NATO ka rritur prezencën. NATO është aty për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë komunitetet dhe kemi shtuar qindra trupa që të sigurohemi që të përmbushim mandatin e marrë nga Kombet e Bashkuara”, ka përfunduar Stoltelberg.