Janë përplasur në distancë kryetari i Prishtinës me opozitën e cila e ka kritikuar Ramën për kontratën për Shërbimin e Arkitektit të Qytetit. Rama u ka kujtuar atyre se vetëm masterplani për kompleksin memorial “Adem Jashari”, ka kushtuar rreth 8 milionë, duke tërhequr një paralele se Shërbimi i Arkitetit të Qytetit i ka projektuar rreth 35 projekte në vlerë prej rreth 4 milionë euro.
Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ishte shkak i një përplasjeje në distancë mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe Vetëvendosjes në Prishtinë.
I pari i kryeqytetit, duke u shprehur i lumtur për përzgjedhjen e Masterplanit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari“, tha se vlera prej rreth 8 milionë eurosh është reale për një detyrë të nivelit të tillë profesional, duke thënë se nëse ka një projekt ku nuk duhet kursyer para, është ky kompleks.
Duke e lidhur me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit, Rama adresoi kritika ndaj Vetëvendosjes në Prishtinë, për të cilët thotë se ankohen pa ndalur se shuma prej 12 milionë eurosh për Arkitektin e Kryeqytetit për dhjetëra projekte është shumë e lartë.
“Vetëm deri tani, Arkitekti i Kryeqytetit ka përfunduar ose është në finalizim të rreth 35 projekteve, shumë prej tyre projekte të kompleksitetit të lartë arkitektonik, dhe për këtë është paguar rreth katër milion Euro. Një prej këtyre projekteve në finalizim është edhe Sheshi Adem Jashari në Kryeqytet”, ka theksuar Rama.
Më pas, nuk ka munguar as reagimi i Vetëvendosjes në Prishtinë, duke e quajtur skandaloz postimin e Kryetarit të kryeqytetit.
“Master Plani i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” nuk është një projekt i vetëm, por përmban 21 projekte të veçanta, nga ato në fushën e projektimit të arkitekturës dhe inxhinierisë, të konservimit, planifikimit hapësinor, kurimit e muzealizimit, e shumë të tjera”, thekson Vetëvendosja.
Në reagimin e Vetëvendosje thuhet se “Arkitekti i Kryeqytetit” si projekt është kontratë e kurdisur për miqtë dhe bashkëpunëtorët e Përparim Ramës, është prodhues serik i fotografive të bukura për rrjete sociale dhe është zhvatës i vazhdueshëm i buxhetit të qytetarëve të Prishtinës, pa asnjë konkretizim e realizim praktik në qytet”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes në Prishtinë.
Lidhur me shërbimin e arkitektit të kryeqytetit, Vetëvendosje pati kërkuar Masë të Përkohshme të sigurisë. Derisa nga PDK në Prishtinë, në një deklarim ditë më parë për RTK, patën thënë se ky projekt po del të jetë i qëllimshëm për realizimin e disa objektivave të kryetarit të Komunës në aspektin e planifikimit.