Në sfondin e një vorbulle zhvillimesh, me theks të veçantë atyre politike që po e përshkojnë arealin shqiptar dhe jo vetëm, këto ditë, pas tri vitesh “moratorium”, në Prishtinë u rikthye një nga ngjarjet më të spikatura kulturore në Republikën e Kosovës. Bëhet fjalë për Panairin e Librit, kjo kryengjarje që sivjet ngre siparin e të njëzet e dytit edicion të tij, shkruan Kosova Post.
Ai po pasurohet edhe me librin e titulluar me titull ‘Arti në Rezistencë: Shkrimet e fundshekullit XX’, që për autor ka intelektualin poliedrik, përkatësisht disidentin e regjimit komunist jugosllav, Shkelzen Maliqi.
Përmes këtij libri, strukturën e të cilit e karakterizojnë nënndarjet tematike, Maliqi në trajtë publicistike na shpalos një tablo të qartë mbi zhvillimet politike, shoqërore e kulturore në Kosovën e okupuar nga aparati i regjimit shovenist serb si dhe mobilizimin e shqiptarëve për t’iu kundërvënë reprezaljeve dhe projektit të atij sistemi për asimilimin kulturor të shqiptarëve.
Teksa trajton dhunën strukturore që shteti pushtues serb ushtronte mbi shqiptarët, Maliqi, që me vokacion është filozof, raportin midis shtypjes së aparatit të Serbisë ndaj shqiptareve vs. mobilizimin e shoqërisë dhe zhvillmini e kulturës sonë i’a nënshtron një leximi të dyfishtë, përkatësisht dialektik.
Sakaq, sipas tij, ngrehina e zhvillimit dhe përparimit të vetëdijes sonë shoqërore, pra emancipimi ynë kulturor e politik, por edhe gëlimi i modeleve të reja kulturtore, ekzistenca e të cilave, paqëllimshëm i shërbenin projekteve serbe, derivonin si forma të rezistencës ndaj shtypjes. Së këndejmi, këto modele substratin e tyre e kishin tek orvatja për rezistencë ndaj dhunës së Serbisë.
Rrjedhimthi, Maliqi me të drejtë na ‘rekruton’ në perspektiven e tij për ta kundruar artin si modues përmes së cilit denoncohej e luftohej regjimi okupues i asaj kohe të pazakontë.
Në këtë kuadër, autori evokon ekspozitën e artit bashkëkohor të një grupi artistesh kosovar në Beograd, në vitit 1997, e titulluar në gjuhën shqipe „Përtej“./Labinot Balaj/Kosovapost/