Ka shkuar në mbi 24 mijë, numri i të vdekurve nga tërmeti që ka goditur Turqinë dhe Sirinë të hënën.
Rreth 100 orë pas tërmetit, qindra mijëra njerëz të tjerë kanë mbetur të pastrehë dhe me mungesë ushqimi në kushte dimërore, me temperatura shpesh nën zero, pas tërmeteve me magnitudë 7.8 dhe 7.6 ballë që goditën dy shtetet me disa orë diferencë.
Dhjetëra vende kanë premtuar ndihmë dhe kanë dërguar ekipe emergjente, shkruan The Guardian.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se numri i të vdekurve në Turqi ka shkuar në 20,655, ndërkaq në Siri në 3,553. Numri total i të vdekurve është 24,208.
Ekspertët kanë thënë se bilanci pritet të vazhdojë të rritet për disa kohë, pasi shumica e njerëzve ishin në gjumë në banesat e tyre kur goditi tërmeti i parë, dhe rrethe të tëra në disa qytete janë kthyer në rrënoja. OKB-ja ka vlerësuar se 24.4 milionë njerëz janë prekur në Siri dhe Turqi.


























