Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është hapur zyra ASELSAN Balkans e kompanisë turke të industrisë së mbrojtjes, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, Azim Nuredin, Kryetari i Industrisë turke të Mbrojtjes, Haluk Görgün, Drejtori i Përgjithshëm i ASELSAN-it, Ahmet Akyol, ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.
Pas prerjes së shiritit nga anëtarët e protokollit, të ftuarit u njoftuan për zyrën e ASELSAN Balkans.
Kryetari i Industrisë turke të Mbrojtjes, Haluk Görgün, në fjalën e tij për gazetarët, shprehu kënaqësinë nga pjesëmarrja në hapjen e zyrës së ASELSAN-it që do të shërbejë për vendet e Ballkanit.
Ai vuri në dukje se Industria e Mbrojtjes e Türkiyes ka bërë një përparim të rëndësishëm në vitet e fundit. “(Industria turke e mbrojtjes) Vazhdon zhvillimin e saj të qëndrueshëm së bashku me vendet mike dhe aleate. Javën e kaluar hapëm zyrën e një kompanie tjetër në Lindjen e Largët. Sot po hapim zyrën e ASELSAN-it në Ballkan. Kjo zyrë është hapur këtu në një lokacion ku mund të arrijmë në çdo vend të këtij rajoni, të cilin ne e quajmë Ballkan, brenda një ose dy ore, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimeve që do të ofrohen dhe të rritet vazhdimësia e shërbimeve që do të ofrohen. Japim kujdes të veçantë që të ndajmë të gjitha zhvillimet dhe mundësitë tona me vendet mike dhe aleate dhe të punojmë së bashku”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i ASELSAN-it, Ahmet Akyol, theksoi se ka pasur një përparim serioz në industrinë e mbrojtjes në Türkiye nën udhëheqjen e Kryesisë së Industrive të Mbrojtjes dhe se ASELSAN është një nga lojtarët e rëndësishëm në këtë sektor.
Ai kujtoi se ASELSAN këtë vit është bërë një nga 10 kompanitë të industrisë së mbrojtjes me rritje më të shpejtë në botë.
“Ne u ngjitëm nga vendi i 47-të në vendin e 42-të në renditjen botërore të industrisë së mbrojtjes. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi, ne i kemi vënë vetes si synim kryesor njoftimin e këtyre kompetencave tona me vendet mike dhe vëllazërore përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare. Sot ASELSAN Balkans u hap në Shkup, në një vend ku kemi trashëgimi historike dhe lidhje kulturore dhe me një mirëkuptim që mund t’u shërbejë të gjitha vendeve mike dhe aleate”. tha Akyol.
Duke treguar se e zhvilluan këtë strukturë ndërkombëtare me mirëkuptimin për t’u shërbyer përdoruesve të tyre nga afër, për t’i mbështetur ata në nivel lokal dhe për të ndarë kompetencat e tyre me vendet mike dhe vëllazërore, Akyol tha se ai beson që zyra ASELSAN Balkans do të sjellë përfitime për rajonin dhe vendit dhe do të rris bashkëpunimin.
Ai gjithashtu falënderoi të gjithë palët në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanit, duke shtuar se të gjitha vendet e Ballkanit do të jenë brenda fushës së punës së zyrës ASELSAN Balkans.