Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi një rezolutë lidhur me kontestin me Bullgarinë, i cili ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Shkupit dhe Bashkimit Evropian.
Rezoluta e propozuar nga VMRO DPMNE-ja në opozitë i obligon institucionet që të mos negociojnë me palën bullgare lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.
Janë pikërisht këto çështje, të cilat Sofja i konteston, pasi konsideron se gjuha maqedonase, sikurse edhe identiteti maqedonas, ekzistojnë pas vitit 1945, apo pas Luftës së Dytë Botërore. Para kësaj periudhe, pala bullgare thotë se ato kanë pasur “rrënjë bullgare”.
“Kërkojmë të respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore. Të respektohen studimet shkencore, sipas të cilave, gjuha maqedonase dhe dialektet e saj kanë vazhdimësi hapësinore dhe kohore. Të zbatohen konventat dhe deklaratat ndërkombëtare pozitive dhe përgjithësisht të pranuara nga Kombet e Bashkuara për të drejtën e vetëvendosjes, si dhe të respektohet vullneti i shprehur lirisht dhe pa kushte për përkatësinë etnike të popullit maqedonas”, thuhet në rezolutën e miratuar nga 95 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe deputetët e partisë në pushtet të kryeministrit Zoran Zaev./rel