Ruzhdi Ibrahimi është një nga pretendentët kryesor për të fituar konkursin fotografik në Zvicër. Kjo falë fotografisë që ka realizuar në Lituani të shqiponjës së detit.
E quajtur “Shqiponja krahëhapur”, fotoja është bërë pjesë e konkursit “SPC Photo Awards”, i cili do të zhvillohet në Zyrih nga data 10 deri më 19 Mars.
Në fund të konkursit, do të ndahen 5 çmime deri në 1 mijë euro. Për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” tregoi mesazhin që përcjell fotoja. “Personalisht përpiqem që në këndvështrimin tim të lexoj mesazhin e fotografisë. Ky mesazh ka të bëjë më shumë me hapjen e krahëve për përqafim dhe më pak për interpretime të tjera.
Të gjithë mund ta interpretojnë sipas mënyrës së vet. Përqafimi na ka munguar shumë këtyre viteve të fundit dhe do të ishte një mesazh. Mesa duket shqiponja, në këtë moment, i ka sytë e mbyllur dhe e shijon, përqafon rrezet e diellit.”, tregoi ai gjatë intervistës me Skype.