Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar për praninë e qenve endacakë në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK). Prania e tyre, sipas tyre, vazhdon të paraqesë shqetësim për stafin, pacientët, familjarët dhe qytetarët që frekuentojnë këto hapësira.
“Duke marrë parasysh faktin se me legjislacionin në fuqi ShSKUK nuk ka kompetencë të trajtojë këtë çështje, disa herë i jemi drejtuar komunës së Prishtinës, madje edhe sot është përsëritur kjo kërkesë”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Më tutje ShSKUK ka bërë me dije se, pos të tjerash, ShSKUK në kërkesë ka kërkuar që me prioritet të trajtohen qentë endacakë në oborrin e QKUK, meqë ka frekuentim të madh të pacientëve, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë.
Komunës i është kërkuar të ofrojë zgjidhje të shpejtë qoftë përmes strehimoreve apo trajtimit të tyre.
“Andaj, edhe përmes këtij apeli publik i bëjmë thirrje komunës së Prishtinës dhe institucioneve të tjera të bëjnë zgjidhje të shpejtë për këtë çështje” , thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.