Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ky reagim vjen pas paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për një rritje prej 15% të çmimit të rrymës.
Më 5 prill, u mbajt një protestë kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Organizatorët e protestës paralajmëruan se do të mbajnë një tjetër tubim më 11 prill, në ora 12:00. Kjo protestë është organizuar nga grupi “Asnjë cent më shumë”.
Një nga organizatorët e kësaj proteste, Luan Hasanaj, ka folur për “Bota sot”. Ai është shprehur i kënaqur për pjesëmarrjen e qytetarëve, duke shtuar se është dhënë një mesazh i qartë.
“Ne jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. Mijëra njerëz nga e gjithë Kosova dolën në shesh për të dërguar një mesazh të qartë dhe të fuqishëm: qytetarët janë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Po ashtu, Hasanaj ka treguar se çfarë ka dëshmuar kjo protestë.
“Ashtu siç ka nisur kjo fushatë me kundërshtime të shumta në rrjete sociale, në media dhe përmes kanaleve institucionale, edhe protesta e dëshmoi që kjo nuk është thjesht pakënaqësi, është kërkesë e qartë qytetare për një jetë të përballueshme dhe normale”, ka theksuar ai.
Në fund, ai ka shtuar se do të vazhdojnë kundërshtimin e tyre dhe paralajmëroi se do të mbajnë protestën e ardhshme të premten.
“Hapat në vazhdim përfshijnë vazhdimin e kundërshtimeve tona në mënyrë aktive, dhe së bashku me qytetarët, organizimin e protestës së radhës ditën e premte. Kauza vazhdon, dhe zëri i qytetarëve nuk do të ndalet”, ka përfunduar Hasanaj.