Ka vdekur në moshën shtatëdhjetë e shtatë vjeçare Sabah Bizi, legjendë e futbollit shqiptar e viteve të gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta.
Federata Shqiptare e Futbollit ka thënë se Bizi, ikonë e pavdekshme e ekipit të Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, që kishte debutuar në futboll që në moshë të re, ishte bërë simbol i talentit dhe përkushtimit. “Një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij ishte përballja epike me Franz Beckenbauer, në ndeshjen historike Shqipëri-Gjermani të vitit 1967, kur ai ishte vetëm 19 vjeç”, ka theksuar FSHF. “FSHF i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve, miqve të tij dhe komunitetit të futbollit shqiptar”.
Edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur ngushëllimet për humbjen Sabah Bizi.
“Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi, një emër i madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë. Si një ndër ikonat e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ai debutoi në futbollin shqiptar në moshë të re dhe u bë simbol i talentit dhe përkushtimit. Përballja e tij me Franz Beckenbauer në ndeshjen historike kundër Gjermanisë në vitin 1967, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç, është dëshmi e madhështisë së tij në fushën e blertë”, ka thënë Duka. “Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi fitoi tituj kampionë dhe kupa, duke i dhënë futbollit shqiptar momente krenarie dhe emocionuese. Edhe pas lënies së futbollit aktiv, ai i qëndroi pranë sportit të zemrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezave të rinj si trajner dhe drejtues”./rtk