Janë 1 mijë e 200 e 67 fjalë.
E të gjitha këto, u lexuan për katër minuta në fjalimin më historik të Kosovës.
Por, deri në natën e 16 shkurtit të vitit 2008, këto fjalë ndodheshin vetëm në këto tri letra.
Medeomos, teksti i pavarësisë, duhej të shkruhej në këtë përgamenë, që erdhi si dhuratë nga Muzeu i Londrës.
E kjo punë, iu besua kaligrafistit, Shyqri Nimani.
“Ju thashë që më nevojiten 1 javë ditë, për me shkru këtë tekst dhe me ilustrua. Kur m’i treguan që janë tri faqe të formatit A4, u befasova shumë. I kisha edhe 16 orë deri nesër, sepse ishte ora 20:00 e mbrëmjes”, tha ai.
Kësisoj, Shyqri Nimani, natën e 16 shkurtit, në katin e tretë të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, filloi shkrimin e deklaratës për të cilën dhanë jetën shumë shqiptarë.
Ndërsa ka treguar se edhe cilin format të shkronjave ka zgjedhur.
Por, pas mesnatës kur data shënoi 17, filloi të shtohej edhe presioni.
“Fillova me u frikësu, mos nuk po arrij me kohë…”, deklaroi Nimani.
Por, kurajë Nimanit, kohë pas kohe, vinte t’i jepte edhe një figurë e lartë shtetërore.
“Çdo 1 orë apo 2 orë, interesohej edhe vet kryeministri, Hashim Thaci, me disa bashkëpunëtor dhe e shikonin na jepshin kurajo e pastaj shkonin”, tha ai.
Pas kësaj, Nimani thotë se e shtoi intensitetin e punës.
15 vjet më vonë, Deklarata e Pavarësisë, ruhet në Kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.


























