Në ditën e Pavarësisë, Dhomat e Specializuara kanë marrë vendim që t’i vazhdohet paraburgimi ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Në vendimin e publikuar, Gjykata Speciale sot ka theksuar se arsyet e mbajtjes së Thaçit në paraburgim vazhdojnë të jenë të qëndrueshme.
“Për arsyet e lartcekura, Paneli nëpërmjet kësaj:
Urdhëron vazhdimin e ndalimit të z. Thaçit; dhe
Urdhëron ZPS-në të paraqesë parashtresat për shqyrtimin e radhës së ndalimit të z. Thaçit, jo më vonë se të hënën, 27 mars 2023, me përgjigje dhe kundërpërgjigje, duke ndjekur afatin kohor të paraparë në Rregullin 76” – shkruhet në vendimin e nënshkruar nga ana e gjyqtarit Charles L. Smith”.
Po ashtu, në vendimin e Trupit gjykues, janë ritheksuar të njëjtat fakte kundër lirimit të Thaçit.
“Trupi konkludon se për momentin nuk ka informacione të mjaftueshme para tij që të arsyetojnë konstatimin se z. Thaçi mund të ikë nga drejtësia. Megjithatë, Paneli është i bindur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të GjS dhe/ose të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të ofrojë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqitet para GJD-së. Paneli do të vlerësojë më poshtë nëse këto rreziqe mund të jenë adresuar në mënyrë adekuate nga çdo kusht për lirimin e tij.”, thuhet në vendim.
Paraburgimi i është vazhduar edhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Me këtë rast, i është dhënë afat Prokurorisë që parashtresat për rishikimin tjetër të paraburgimit t’i dërgojë deri më 27 prill.
Sipas vendimit të Speciales, arsyet e mbajtjes së Veselit në paraburgim vazhdojnë të jenë të qëndrueshme.