Nxënësit e Maarif Schools fituan 19 medalje dhe arritën vendin e parë në botë në kategorinë e shkencës,duke përfaqësuar me krenari Kosovën në ngjarjen prestigjioze ndërkombëtare.
Në Qendrën Maarif Schools of Kosova në Prishtinë u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve për nxënësit që fituan medalje në Olimpiadën STEM që u mbajt në Hagë të Holandës, raporton Kosovapost.
Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, drejtori i Fondacionit “Maarif” në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, përfaqësues të Odës Ekonomike Kosovare-Turke, biznesmenë, si dhe mësimdhënës dhe nxënës.
Maarif Schools e ka bërë histori duke fituar 19 medalje në Finalen e Madhe të Olimpiadës prestigjioze “STEM 2024” në Hagë, duke arritur vendin e parë në botë në kategorinë e shkencës.
Ambasadori Angılı theksoi se shkollat Maarif janë bërë një markë e rëndësishme në fushën e arsimit dhe se investimet në arsim janë investime për të ardhmen. Ai e cilësoi fitimin e medaljeve si “fidanet e farave të mbjella më herët”.
Drejtori i Fondacionit “Maarif”, Aslan, nënvizoi se më shumë se 750 nxënës ndjekin shkollat Maarif në Prishtinë dhe Prizren. Ai u shpreh se nxënësit kanë arritur rezultate të shkëlqyera në gara kombëtare dhe ndërkombëtare dhe se suksesi i tyre në Olimpiadën STEM ka ndihmuar në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ministri Damka përgëzoi nxënësit dhe mësimdhënësit për suksesin e tyre dhe inkurajoi Fondacionin “Maarif” të investojë më shumë në arsimin e Kosovës dhe të hapë shkolla në qytete të tjera të vendit.
Ceremonia përfundoi me ndarjen e çmimeve për 19 nxënësit e suksesshëm.
Finalja e Olimpiadës Ndërkombëtare STEM u mbajt në Hagë, me pjesëmarrjen e mbi 570 studentëve nga 117 vende, dhe nxënësja e Maarif në Kosovë, Ela Naz Yılmaz, fitoi vendin e parë në kategorinë e shkencës.