Në mbrëmjen e të shtunës, në fshatin Miradi e Epërme, është sulmuar fizikisht kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Fushë Kosovës, Ali Ismaili, njofton Kosova Post.
Lajmin e ka bërë të ditur vet ligjvënsi i asambles së Fushë Kosovës, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social të Facebook-ut.
Ky është postimi i plotë i tij:
‘ Para disa minutave, pasi përfundoi namazi i Teravive në Miradi të Epërme, aty ku jam edhe Imam i xhamisë në dalje të fshatit u sulmova fizikisht nga disa persona të panjohur, nga një veturë pikap pa tabela. Siç duket kërcënimet e mëhershme nuk paskan marrë fund dhe përveç kërcënimeve, tani dikush ka vendosur që t’a konkretizojnë edhe me sulme fizike.
Unë nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës dhe nga pozita e Imamit të Xhamisë në Miradi të Epërme, nuk i kam borgj askujt dhe gjithmonë punën time e kam kryer dhe do t’a kryej me ndershmëri dhe përgjegjësi të plotë. Sulmet dhe kërcënimet e tilla nuk më frikësojnë dhe nuk më ndalin në kryerjen e obligimeve të mia karshi qytetarëve.
I bëj thirrje organeve të rendit që këtë problem t’a hetojnë dhe t’a parandalojnë institucionalisht, sepse sot nuk u realizua, por nesër mund të ndodhë diçka edhe më e keqe!’