Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla mori pjesë në forumin e ministrave të brendshëm në Slloveni, në kuadër të Procesit të BRDO-s, transmeton KosovaPost.
“Me ftesë të Ministrit të Brendshëm Boštjan Poklukar, Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla mori pjesë sot në forumin e ministrave të brendshëm në kuadër të procesit të BRDO-s, ku të pranishëm ishin edhe Komisionerja e për zgjerim znj. Marta Kos dhe Komisioneri për Punë të Brendshme dhe Migrim z. Magnus Brunner”, thuhet në njoftim.
Ky forum u mbajt me fokus në forcimin e bashkëpunimit me qëllim të luftimit efikas të terrorizmit dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Në fjalën e tij të rastit Ministri Sveçla theksoi rezultatet në luftën ndaj terrorizmit por edhe sfidat që kemi në këtë drejtim për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Serbisë që të destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë.
Ai theksoi se sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur dhe kryesit e krimit janë ende të arratisur.
Po ashtu, ai vuri në pah se vetëm në gjysmën e fundit të vitit 2024, në Kosovë kanë ndodhur 11 sulme që përfshijnë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, duke përfshirë sulmet ndaj Stacionit të Policisë në Zveçan dhe ndërteses së Komunës, si dhe atë ndaj kanalit të ujit Ibër Lepenc në Zubin Potok.
Ministri Sveçla konfirmoi rëndësinë dhe gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve si mekanizmi kryesor në goditjen e rrjeteve kriminale që zhvillojnë këtë aktivitet dhe sjelljen e tyre para drejtësisë si dhe mbrojtjen efikase të viktimave.