Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar pas maratonës së takimeve në Bruksel duke konfirmuar edhe njëherë atë që u tha në komunikat Bazë, përcjell KosovaPost.
Kurti tha se në anën tjetër Kosova ishte e gatshme ta pranojë Marrëveshjen, Aneksin, si dhe draft-statutin për Asociacionin, që iu prezantua Qeverisë me 21 tetor.
Ndër të tjera, ai tha se “pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”
Shefi i qeverisë shtoi se Vuçiqi kërkoi t’i pranohet një letër anësore, përmes së cilës zhbëhen tri parime të Marrëveshjes Bazë.
“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të Marrëveshjes Bazë, Aneksin dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”
Gjatë këtij takimi, Kurti thotë se ka theksuar që për Kosovën, primare mbetet siguria në veri ashtu si dhe sanksionimi i Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë, shkruan Reporteri.net.
“Theksova se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, siguria e Kosovës është parësore, siç është edhe mbajtja e Serbisë përgjegjëse. Kosova ka pranuar/miratuar Marrëveshjen Bazë dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin e 21 tetorit”, tha Kurti.
Pas takimit është deklaruar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i cili tha se Serbia në përputhje me politikën e saj, ka thënë qartë se dëshiron të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar, nga Marrëveshja Themelore e vitit 2013 deri në marrëveshjet që u arritën më vonë në Bruksel dhe Ohër, si dhe se Serbia nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës.