Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan lart progresin e FSK-së në fushën e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave tona në ndërveprueshmëri gjatë aktiviteteve shumëkombëshe. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e mbështetjes së FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së, veçanërisht në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave, duke avancuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.
Në përmbyllje të takimit, gjeneralët ritheksuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një prioritet strategjik kombëtar. Në këtë kontekst, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse u vlerësua si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. (A2 Televizion)


























