Kriza që po shfaqet në horizont, nuk është një mundësi e largët. Ajo është e sigurt që do të ndodhë. Dhe ndërsa bota po përgatitet të përballet me të, ne evropianët mbetemi ende peng të një vizioni të vjetëruar, dhe të një politike monetare të paaftë për t’iu përgjigjur sfidave të së tashmes…
Evropa po përgatitet të përjetojë një masakër ekonomike, të ngjashme me atë që nuk është parë që nga kriza e rëndë financiare e viteve 2007-2008, dhe rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë rrezikon që të jetë shkaktari kryesor.
Rreziku nuk ka të bëjë aq shumë me tarifat tregtare mbi vetë Evropën – të cilat gjithashtu do të dëmtojnë shumë – por për efektin domino shkatërrues që do të prodhojnë ato. Sepse është e vërtetë, që në një ekonomi si e jona, aktualisht në krizë, rënia e madhe e eksporteve drejt SHBA-së do të ishte një goditje tepër e fortë.
Por problemi i vërtetë nuk është këtu. Problemi i vërtetë është Kina, dhe efekti domino që mund të shkaktojë qasja proteksioniste e Uashingtonit. Në fakt, Trump e ka deklaruar hapur se synon të vendosë tarifa deri në masën 100 për qind për produktet kineze.
Ky nivel kaq i lartë, na rikthen drejtpërdrejt në praktikat e shekullit XIX. Tani, nëse ai do ta mbante fjalën qoftë edhe pjesërisht, do të ndodhte një tërmet ekonomik që do të na gjunjëzonte ne evropianëve. Le të shqyrtojmë pak kontekstin.
Kina, një prodhuese në mallrave në seri, ka eksporte me Shtetet e Bashkuara në nivelin rreth 500 miliardë dollarë. Dhe për të luftuar stanjacionin që po përjeton pas krizës së pasurive të paluajtshme, kohët e fundit ajo ka zbuluar synimin e saj për të rritur ritmin e rritjes ekonomike përmes rritjes së prodhimit dhe rrjedhimisht ofertës së produkteve.
Tani që për shkak të tarifave të reja që pritet të vendosen, këto produkte nuk do të jenë më në gjendje të eksportohen tërësisht ose pjesërisht në SHBA, Pekini do të ketë dy opsione përpara: të mbajë magazinat e tij plot – gjë që ka shumë pak gjasa të ndodhë – ose të ulë çmimet më tej dhe të dërgojë atë sasi mallrash në pjesën tjetër të botës, dhe kryesisht këtu në Evropë, duke pasur parasysh fuqinë e fuqisë sonë blerëse.
Dhe pikërisht këtu fillon katastrofa. Sepse po flasim për një përmbytje, për një cunami të vërtetë produktesh me kosto të ulët, që do të derdhet në tregun tonë, duke i gjunjëzuar bizneset vendase dhe përkeqësuar krizën ekonomike që tashmë ka filluar.
Ndërkohë, është e sigurt se në përputhje me paralajmërimet e tij, Trump do të ushtrojë presion ndaj Rezervës Federale për ta dobësuar qëllimisht dollarin, duke zëvendësuar kreun e saj Poëell ose e bindur që t’i nënshtrohet lojës së tij, për t’i bërë eksportet amerikane më konkurruese dhe produktet e tyre më tërheqëse në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë euro do të vazhdojë të forcohet, sepse këtu në Evropë ne jemi në duart e një Banke Qendrore, e cila çdo masë ekspansioniste e konsideron si një të keqe absolute. Kështu, me një euro të fortë, do të jetë gjithnjë e më e përshtatshme për të importuar dhe gjithnjë e më e vështirë për të eksportuar.
Pra ne do t’ia hapim vetë dyert “ortekut” të mallrave kineze. Për të shpëtuar veten, kemi në dispozicion 3 rrugëdalje të mundshme. E para është të fillojmë që ta zhvlerësojmë që tani euron, duke i bërë produktet tona më konkurruese. Kjo do të na jepte mundësi jo vetëm të rrisnim eksportet, por edhe të amortizonim tronditjen ndaj ekonomisë, duke injektuar para dhe duke rifilluar rritjen e vendeve të punës dhe prodhimit.
Hapi i dytë, ka të bëjë me ndërhyrjet tek çmimet e mallrave që shkaktojnë inflacion, duke ndryshuar përfundimisht paradigmën e politikës monetare, një operacion që nis nga pranimi se inflacioni që po përjetojmë nuk është një inflacion i parave, por i kostove (para së gjithash i atyre energjitike).
Për rrjedhojë, duhet të ndalojmë së luftuari inflacionin me napalm, pra duke i vënë flakën gjithçkaje me shpresën se do të ulim çmimet, por duke kontrolluar drejtpërdrejt (dhe me forcë) tek çmimet e mallrave të ndjeshme.
Hapi i tretë që duhet të hedhim, është braktisja e mbajtjes së inflacionit në nivelin 2 për qind dhe synimi për të pasur një objektiv më realist, duke pasur parasysh skenarin gjeopolitik dhe gjeo-ekonomik global (një cisternë e vetme nafte shpërthen në Detin e Kuq dhe rritet menjëherë çmimi i bukës në Wyoming, SHBA).
Një skenar më realist do të ishte një normë midis 3 dhe 4 për qind. Ndërkohë, vazhdimi në këtë rrugë, me një euro të fortë dhe ecja drejt një synimi të paarritshëm, do të na çojë me siguri drejt në katastrofë. Sepse kriza që po shfaqet në horizont, nuk është një mundësi e largët.
Ajo është e sigurt që do të ndodhë. Dhe ndërsa bota po përgatitet të përballet me të, ne evropianët mbetemi ende peng të një vizioni të vjetëruar, dhe të një politike monetare të paaftë për t’iu përgjigjur sfidave të së tashmes./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”