I vendosur në Ditën e Personave të Pagjetur, instalacioni (në formën e një pllake përkujtimore), ka përmbajtur emrat e të gjithë personave të zhdukur, që nga viti 1999, duke i përfshirë edhe ata nga komunitetet jo-shumicë, shkruan Kosova Post.
Instalacioni me 1.639 emrat e të zhdukurve, i vendosur më 27 prill nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ka qëndruar i rrëzuar për disa ditë me radhë në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Saktësisht nga e premtja, deri të martën paradite (nga 14 maji – deri më 18 maj).
Kosova Post e ka kontaktuar qysh dje organizatën YIHR, për të kuptuar se kush do të duhej të kujdesej, e ta mirëmbante atë, por nuk ka marrë përgjigje.
Megjithatë, sot në mëngjes është parë se është intervenuar në të, (siç dëshmojnë fotot në vijim), ndonëse për momentin aty mungojnë emrat e të zhdukurve.
Nuk dihet me saktësi se çka e ka rrëzuar instalacionin, por dyshohet se erërat e forta që frynë në fund të javës që iku, janë shkaktaret e këtij dëmi.
Nga YIHR kanë thënë se instalacioni do të rregullohet dhe emrat e të zhdukurve do të figurojnë aty përsëri./KosovaPost/