Teuta Fazliu, banore e Luginës së Preshevës, ka paditur Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke pretenduar diskriminim përmes shlyerjes së adresës së vendbanimit. Sipas saj, kjo masë ia ka kufizuar qasjen në shërbimet administrative dhe të drejtat pronësore, ndërsa ajo pret një epilog pozitiv nga gjykata.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka regjistruar lëndën e Teuta Fazliut nga Bujanoci, të cilës i është pasivizuar adresa nga shteti serb. Ajo tha se kjo është hera e parë që Gjykata e Strasburgut shqyrton një lëndë të tillë.
“Kam ndjekur të gjitha procedurat ligjore, të gjitha mekanizmat i kam shtjerr në Serbi deri në instancën më të lartë, Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ka nxjerrë një vendim që nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa si pasojë e këtij pasivizimi më kanë larguar edhe nga lista e votuesve që s’kam mundur nga nga 2020 më të votoj as në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare dhe pas një zhvarritje të gjatë pesëvjeçare domethënë në qershor bëhen gjashtë vite të gjykatave të Serbsisë unë kam marrë përgjigjen e fundit dhe kam vazhduar në Gjykatën e Strasburgut”, tha ajo.
Avokati i Fazliut, Drin Grazhdani pret që lënda e klientes së tij të miratohet nga Gjykata e Strasburgut dhe që aktvendimi të merret për bazë edhe për qytetarët e tjerë të Luginës së Preshevës që kanë të njëjtin fat si Fazliu.
“Pritshmëritë për këtë rast, fakti që është së pari është regjistruar rasti është një sukses shumë i madh. Po normal që të realizohen të drejtat e të gjithë shqiptarëve të cilët jetojnë në Luginë të Preshevës, Bujanovc dhe Medvegjë edhe pse rasti u dorëzua në emër të Teuta Fazliut, gjykata ka një shans shumë të madhe që të vendosë një agjykim gjithëpërfshirës lidhur me këtë çështje për të gjitha shkeljet të drejta të njeriut të cilat Serbia i ka bërë karshi qytetarëve atje”, pohoi ai.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina e Preshevës në Serbi, ka thënë se kjo padi mund të bëjë një kthesë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët e Luginës.
“Arritja e së paku këtij rasti në Strasburg, Gjykatën Ndërkombëtare do të thotë se do të marrë një epilog dhe ky epilog ashtu siç pritet të jetë epilog i drejtë për të zgjidhur këtë problem për t’i dhënë shembull Serbisë se po bën shkelje të vazhdueshme të të drejtave civile të njerëzve të një numri të madh të njerëzve. Pra nuk është një shifër e vogël dhe jo vetëm që po cënohen të drejtat e tyre themelore të njeriut, të drejtat e tyre civile, por në fakt prapaskena e gjithë kësaj është tentativa e Serbisë që përmes masave administrative të ndryshojë strukturën etnike të popullsisë në komunat e tona”, tha Kamberi.
Ndryshe, Serbia po vazhdon avazin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke ua mohuar atyre qasjen në të gjitha shërbimet administrative dhe pronësore Kundër kësaj, në SHBA është duke u përgatitur një rezolutë që këtë çështje ta vendosë zyrtarisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


























