Mesfushori kosovar pritet të largohet nga Liverpooli në afatin kalimtar të verës. Ai mund ta vazhdojë karrierën në Spanjë ose në Itali
Eksperienca e Xherdan Shaqirit në Liverpool pritet të marrë fund gjatë verës që vjen.
Mesfushori kosovar i ka bërë valixhet gati për t’u larguar nga “Anfield Road” pas tri vjetësh qëndrimi.
Përfaqësuesi zviceran nuk ka bindur asnjëherë tek “Reds”, ku ka përfunduar kryesisht në bankinë.
Dhe tash, “Të Kuqtë” po planifikojnë ta sistemojnë futbollistin ofanziv në një klub tjetër evropian.
Sipas mediave britanike, për majtakun interesim kanë shfaqur tri klube të njohura: Sevilla, Lazio dhe Roma.
Liverpooli nuk është i interesuar ta japë hua futbollistin dhe do ta pranonte vetëm një ofertë për shitjen përfundimtare të tij.
Futbollisti nga Zhegra e Gjilanit i ka nisur nga fillimi vetëm 4 nga 14 ndeshjet që i ka zhvilluar këtë sezon në Premierligë.
Shaqiri i ka edhe dy vjet kontratë me klubin anglez, të cilit i ishte bashkuar nga Stoke City në vitin 2018.
Ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit dhe Stoke Cityt mund ta zhvillojë ndeshjen e fundit për Liverpoolin këtë fundjavë ndaj Crystal Palacet.
Me ekipin e Jurgen Kloppit, Shaqiri e ka fituar Ligën e Kampionëve dhe Premierligën. /Gazeta Express/