Tre raste të vjedhjeve dhe tentim-vjedhjeve janë raportuar të kenë ndodhur nëpër xhami në Komunën e Kamenicës gjatë ditëve të fundit.
Sipas Policisë, rasti i parë ka ndodhur në fshatin Shipashnicë e Poshtme, ku më 06.04.2026 një person ka njoftuar se, përmes kamerave të sigurisë, ka vërejtur një person të paidentifikuar duke hyrë në objektin e xhamisë. Policia thotë se i dyshuari kishte thyer me forcë kasafortën dhe nga aty kishte marrë rreth 300 euro, kryesisht monedha metalike.
Ndërkaq, dy raste të tjera janë cilësuar si vjedhje të rënda në tentativë. Në fshatin Topanicë, imami i xhamisë ka raportuar se persona të panjohur kanë dëmtuar me forcë kasafortën, por nuk kanë arritur të marrin asgjë nga brenda saj.
Po ashtu, në fshatin Rogoqicë të kësaj komune, përmes kamerave të sigurisë është vërejtur një person që kishte hyrë në xhami dhe kishte tentuar të thyente kasafortën me mjete të forta. Megjithatë, Policia thotë se tentativa ka dështuar dhe janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në të gjitha rastet është njoftuar prokurori dhe rastet janë duke u hetuar nga organet kompetente.


























