Më shumë se 250 trupa të Gardës Kombëtare të SHBA-së janë mobilizuar në 15 shtete amerikane për të mbështetur procesin zgjedhor, sipas raportimeve të mediave, transmeton Anadolu.
Një zëdhënës i Gardës Kombëtare ka thënë për CNN se dislokimet janë bërë në Alabama, Arizona, Delaware, Hawaii, Illinois, Iowa, New Mexico, Karolina e Veriut, Oregon, Pensilvani, Tenesi, Teksas, Washington, Wisconsin dhe Virxhinia Perëndimore.
“Pak më pak se gjysma e trupave po ndihmojnë me misionet e sigurisë kibernetike”, ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se trupat e mbetura po përmbushin rolet mbështetëse bazuar në kërkesa.
Në lajm thuhet se 85 trupa janë në gatishmëri në Kolorado, Washington, Florida dhe Nevada dhe janë të përgatitur të përgjigjen nëse është e nevojshme.
Më 29 tetor, u raportua se dy kuti të votimit të ngritura për zgjedhjet presidenciale në Oregon dhe Washington ishin djegur në një sulm.