Kryetari i Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, Abdel Fattah Al-Burhan tha se Turqia dhe Sudani shumë shpejt mund ta rrisin me lehtësi në 2 miliardë dollarë vëllimin aktual tregtar, transmeton Kosova Post.
Kryetari i Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, Abdel Fattah Al-Burhan tha se Turqia dhe Sudani shumë shpejt mund ta rrisin me lehtësi në 2 miliardë dollarë vëllimin aktual tregtar, shkruan AA.
Zv.presidenti i Turqisë, Fuat Oktay dhe kryetari i Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, Abdel Fattah Al-Burhan në një takim konsultues u takuan me biznesmenë dhe investitorë turq.
Në fjalimin e tij këtu Burhan tha se dy vendet kanë një trashëgimi të përbashkët dhe se trashëgimia e përbashkët reflekton edhe tek marrëdhëniet.
“Sudani ndodhet në një proces tranzicioni për të arritur në pozicionin e denjë për t’u renditur në mesin e vendeve të zhvilluara”, tha Burhan i cili më tej shtoi se “Sudani do të arrijë pozicionin për të cilin është i denjë si në sistemin ndërkombëtar ashtu edhe brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara (OKB). Republika e Turqisë ka ofruar mbështetjen e saj në shumë fusha dhe ne i jemi mirënjohës për mbështetjen ndaj Sudanit”.
Ai vuri në dukje se vendi i tij ka lënë pas periudhën e mbylljes dhe ka kaluar në periudhën e hapjes në botë.
“Shteti nuk mund të jetë monopol i askujt, i asnjë shtrese. Shteti është i të gjithë sudanezëve. Shteti do të krijojë lidhje lehtësisht me të gjithë. Në këtë aspekt kam ardhur në Turqi me ministrat e mi, të cilët bashkë me reformat do të japin informacione për këtë periudhë të re lidhur me mundësitë e investimit në Sudan”, tha Burhan.
“Turqia për ne është shumë e rëndësishme”
Sudani ka përjetuar disa probleme në ndërtimin e partneriteteve dhe hyrjen e kapitalit në vend për shkak të problemeve me të cilat është përballur në të kaluarën, njoftoi Burhan i cili deklaroi më tej se:
“Por, pavarësisht këtyre kushteve të vështira, kemi përvoja që kemi përjetuar me investitorët turq. Besoj se (me Turqinë) shumë shpejt mund të rrisim lehtësisht në 2 miliardë dollarë vëllimin tonë tregtar. Fusha të tilla si, bujqësia, minierat, infrastruktura, transporti, elektriciteti, energjia dhe telekomunikacioni, janë fusha të hapura për investim në vendin tonë. Të gjithë miqtë, vëllezërit, ish miqtë tanë i shohim me përparësi në investim. Mund të vijnë dhe të investojnë në Sudan me qetësinë e zemrës. Ka mundësi investimi me parimin fito-fito që do të jetë në dobi të të dy vendeve”.
Pasi nënvizoi se Sudani mbështet edhe sektorin privat në çështjen e investimit, Burhan shtoi se “Turqia për ne është shumë e rëndësishme. Nuk është si të tjerët, është një vend kryesues. Është një vend që ka përvoja të mëdha. Një vend në nivel të përparuar në shumë fusha, në bujqësi dhe fushat e tjera. Edhe ne dëshirojmë të përfitojmë nga këto mundësi dhe përvoja”.
Në fjalën e tij Burhan bëri të ditur se do të jenë të kënaqur që të shikojnë në Sudan biznesmenët dhe investitorët turq. “Do të shikoni se në vendin tonë dyert janë të hapura në lidhje me çfarë mendoni, çfarë planifikoni të bëni. Marrëdhëniet tona do të vazhdojnë. Me të gjitha mundësitë që kemi do të bëjmë më të mundshmen për të forcuar më tej dhe për të mbështetur partneritetin Turqi-Sudan”.