Udhëheqësit e BE-së do të zbulojnë një plan për ta bërë Evropën më konkurruese përpara se Donald Trumpi të rihyjë në Shtëpinë e Bardhë, pas një samiti në Budapest këtë javë, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.
Ata kanë shqyrtuar një listë me 170 propozime nga ekonomisti dhe ish-kryeministri italian Mario Draghi. Ai paralajmëron se pa veprime urgjente, projekti i BE-së është i dënuar.
Megjithatë, grupi është duke luftuar për të rënë dakord se nga duhet të vijnë paratë – nëse janë nga fondet kombëtare apo të BE-së, dhe nëse ato mund të huazohen në tregjet ndërkombëtare.
“Megjithëse ne ndjejmë ndikimin e votimit këtë javë me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, besimi im është se duhet të vazhdojmë të fokusohemi në zgjidhjet që po kërkojmë të ofrojmë pikërisht këtu në Evropë: kemi nevojë për veprim, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë”, tha presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.