Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e së enjtes në Bruksel ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të Aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit.
Në fund kjo nuk u pranua dhe takimi përfundoi pa asnjë rezultat. Serbia ka kërkuar formimin e Asociacionit e këtë e ka refuzuar Kurti, që ka thënë se nuk mund të ketë as kompromis, siç se ka propozuar Bashkimi Evropian, për “ecje paralele” në dy drejtimet”. Ai ka akuzuar ndërmjetësit se kushtëzimet e Serbisë i kanë shndërruar në qëndrime të BE-së.
Pas takimit, Kurti ka ndarë me gazetarët propozimin e tij.
Gjithçka nis me Deklaratën për të Zhdukurit, që Kurti ka thënë se është kompletuar nga të dyja palët.
Dy pikat tjera me radhë në këtë udhërrëfyes, janë përfunduar nga Kosova, siç ka thënë Kurti në propozim. Bëhet fjalë për prezantimin e draftstatutit të Ekipit Menaxhues dhe prezantimin e drafstatutit te ndërmjetësit e dialogut.
Pika e radhës në këtë propozim është që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së të ndajë Marrëveshjet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të dyja palët janë pajtuar me parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, për respektim të integritetit territorial dhe trajtim të palës tjetër si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, dhe zëvendësohet nevoja për përdorimin e asteriskit dhe përfaqësimin nga UNMIK-u.
Njohja e dokumenteve respektive dhe simboleve kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat, vulat doganore janë në pikën e radhës të propozuar nga Kurti.
Lansimi i procesit negociues mbi statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës është në pikën e radhës të propozimit. Sipas udhërrëfyesit, kjo pikë prek nenet 1, 7 dhe 10 të Marrëveshjes bazë.
Në pikën e ardhshme propozohet që palët të zotohen për përmbajtje nga kërcënimi apo përdorimi i forcës apo praktikave të tjera kundër njëra-tjetrës, në pajtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Aty po ashtu thuhet se palët i përmbahen parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe njohin juridiksionin e ndërsjellë në territoret përkatëse. “Marrëveshja zyrtarizon heqjen dorë formale të Serbisë nga të gjitha pretendimet territoriale ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës dhe palët bien dakord për demarkacionin e kufirit në një periudhë dyvjeçare”, thuhet në propozim.
Si hap vazhdues në udhërrëfyes është paraparë marrja e hapave të rëndësishëm për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, anëtarësim në Këshill të Evropës, nënshkrimin e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe lëvizje drejt njohjeve. Po ashtu, aty duhet që Serbia të zotohet se do t’i pushojë të gjitha kundërshtimet për anëtarësimin e Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, duke e përjashtuar votën kundër, si dhe lobimin publikisht, direkt, tërthorazi ose konfidencialisht, duke përfshirë edhe palët e tjera për këtë qëllim.
Në pikën e radhës flitet për konkludimin e negociatave për statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit të serbëve të Kosovës.
Në pikën pasuese thuhet që Kosova dhe Serbia do të zbatojnë bashkëpunim normal, fqinjësor të mirë dhe do të angazhohen në komunikim të rregullt qeveri-qeveri për të vazhduar marrëdhëniet miqësore dypalëshe. Të dyja palët, sipas propozimit, duhet të kenë sjellje të duhur ndërshtetërore dhe fjalori i zyrtarëve duhet të pasqyrojë frymën e marrëveshjes bazë, përfshirë përmirësimin për t’iu referuar palëve si Kosovë dhe Serbi dhe për të ndalur referimin si Prishtinë e Beograd apo ndonjë emërtim tjetër. Të dyja palët marrin qëndrim miqësor dhe ndërpresin përpjekjet përçarëse apo minimin e palës tjetër në të gjitha fushat, përfshirë bojkotimin e ngjarjeve ndërkombëtare. Duhet të përfundojë edhe përdorimi i pabarazisë në nivele dypalëshe a shumëpalëshe – duke i dhënë fund përdorimit të fusnotës.


























