Një gjendje emergjente do të vendoset në të gjitha pjesët e Ukrainës nën kontrollin e qeverisë, njoftoi të mërkurën Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së vendit.
Masa pritet të miratohet nga parlamenti ukrainas brenda 48 orëve dhe do të zgjasë për 30 ditë, me mundësi të zgjatjes edhe për 30 ditë të tjera.
“Në gjithë territorin e vendit tonë, përveç Donetskut dhe Luhanskut, do të vendoset një gjendje e jashtëzakonshme”, tha të mërkurën Oleksiy Danilov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, raporton CNN.
“Qëllimi kryesor i Federatës Ruse është të destabilizojë Ukrainën nga brenda dhe të arrijë objektivin e saj. Që kjo të mos ndodhë, ne vendosëm sot dhe e morëm këtë vendim sot”, shtoi ai.
Duke folur gjatë një konference për shtyp në Kiev, Danilov tha se gjendja e jashtëzakonshme do të përfshijë “forcimin e rendit dhe sigurisë publike në objektet kritike të infrastrukturës” dhe forcimin e inspektimeve në lëvizje të caktuara të transportit, transmeton Klankosova.tv.