Ukraina thotë se do të synojë rafineritë ruse të naftës nëse dëshiron, duke i quajtur ato objektiva legjitime ushtarake, pasi SHBA thuhet se i kërkuan asaj që të mos bënte një gjë të tillë mbi shqetësimet rreth rritjes së çmimeve të naftës dhe potencialin për hakmarrje.
Siç kujtojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Ukraina ka shtuar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë muajt e fundit, duke kryer sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi në disa nga rafineritë e saj më të mëdha të naftës.
Dhe menjëherë pas një raporti të Financial Times, një zyrtar i qeverisë ukrainase u përgjigj publikisht, duke thënë se Ukraina do të vazhdojë të godasë rafineritë e naftës, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.
Sipas Zëvendëskryeministres për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik Olga Stefanishyna, zyrtarët në Kiev besojnë se rafineritë janë “shënjestra absolutisht legjitime nga pikëpamja ushtarake”.
“Ne i kuptojmë thirrjet e partnerëve tanë amerikanë”, tha ajo. “Në të njëjtën kohë, ne po luftojmë me aftësitë, burimet dhe praktikat që kemi”.
Ndryshe, Rusia nuk është shmangur nga kryerja e sulmeve në infrastrukturën energjetike të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në 2022.
Vetëm të premten, forcat ruse kryen një sulm masiv të përbërë nga dronë dhe raketa, më i madhi që nga fillimi i luftës, që ndërpreu energjinë elektrike në qytete dhe qendra të shumta urbane.
Sulmi përfshinte gjithashtu një sulm në hidrocentralin Dnipro.
Në anën tjetër, edhe sulmet e fundit të Ukrainës kundër infrastrukturës energjetike të Rusisë kanë qenë mjaft efektive.
Më shumë se 10 rafineri dhe depo kryesore janë dëmtuar dhe çmimet e naftës janë rritur në javët e fundit. Një sulm i madh vetëm javën e kaluar goditi disa rafineri, duke shkaktuar dëme masive.
Strategjia, tha një zyrtar ukrainas në atë kohë, ishte “të privojë armikun nga burimet dhe të reduktojë rrjedhën e parave të naftës dhe karburantit”.
Këto sulme kërcënojnë një “nyje kryesore ekonomike” për Rusinë, si dhe një burim shumë të rëndësishëm lufte.