Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” të mërkurën ka patur vizitorë të veçantë.
Vajza e ish-presidentit të ShBA-së, Donald Trump, Ivanka Trump bashkë me bashkëshortin e saj, Jared Kushner kanë zgjedhur të shohin nga afër muzeun.
Ata u shoqëruan edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas njoftimit, gjatë vizitës, çifti amerikan la një shënim në librin e përshtypjeve, ndërsa veçuan mikpritjen shqiptare, si një vlerë e veçantë.
“Ju falënderoj për mikpritjen kaq dashamirëse dhe që ndatë me ne historinë e shtypjes së Shqipërisë për ta kuptuar më mirë transformimin e jashtëzakonshëm, dëshmitarë të të cilit jemi ne sot. Le të mësojë dhe populli im nga ky muze që këto tmerre të mos përsëriten më”, ka shkruar Kushner.
Ndërsa Ivanka Trump u shpreh: “Faleminderit. Gjithë të mirat për të dy vendet tona Amerika & Shqipëria”.


























