Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prizrenit është marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për të ndihmuar të prekurit e tërmeteve në Turqi dhe për të prekurit nga vërshimet gjatë muajit janar për Komunën e Skënderajt, shkruan KosovaNews.
Në seancë të gjithë kuvendarët kanë votuar unanimisht për pikën e vetme të rendit të ditës “Ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 10 mijë eurove për Republikën e Turqisë-s dhe 10 mijë euro për Komunën e Skenderajt”.
Nga Komuna e Prizrenit, ndihma për Turqinë janë dërguar edhe ditëve të kaluara. Vetëm nga një xhami e rajonit të Zhupës anë mbledhur mbi 7.500 euro ndërsa qytetarë të shumtë kanë kontribuuar financiarisht edhe ditën e premte pas namazit të xhumasë, nga një iniciativë e Bashkësisë Islame të Kosovës e cila ka hapur edhe një xhirollogari për ata që dëshirojnë të kontribuojnë në formë elektronike.
Siç ka njoftuar Bashkësia Islame, vetëm nga xhamitë e Prizrenit janë mbledhur 93,286 euro për ndihmë të prekurve nga tërmetet që goditën disa zona në Turqi dhe Siri, shumë kjo e cila bashkë me 10 mijë euro të Komunës, kap vlerën 103 mijë e 286 euro.
Përpos mjeteve financiare nga Kosova, me organizimin e Ambasadës së Turqisë në Kosovë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren, institucionet kosovare dhe me qytetarët janë mbledhur gjëra materiale përfshirë gjëra të ndryshme esenciale, si batanije, gjeneratorë, ngrohës, pako pelena, jorganë, krevate, jastëkë dhe kuti me rroba dimërore të cilat janë dërguar për në Turqi nëpërmjet avionit dhe me mauna./KosovaNews/