Për shkak të tragjedisë që ndodhi në diskotekën “Pulse”, ku humbën jetën 59 të rinj, varrezat e qytetit të Koçanit po zgjerohen. Viktimat e këtij zjarri do të varrosen në një pjesë të dedikuar të varrezave, që është caktuar posaçërisht për ta.
Reuters ka publikuar një video, ku duket një ekskavator duke gërmuar varret për këtë qëllim.
Në një njoftim të mëparshëm, Komuna e Koçanit njoftoi se gjatë një kolegjiumi të mbajtur mëngjesin e sotëm, është rekomanduar që Bordi Drejtues i Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) “Ujësjellësi” të miratojë zgjerimin e parcelave të varrezave dhe ndarjen e një pjesë të veçantë për ata që humbën jetën në këtë tragjedi. Gjithashtu, është sugjeruar që të merret një vendim për ndarjen e parcelave të tokës për varrosjen pa pagesë dhe për shërbime funerale që janë nën juridiksionin e kësaj ndërmarrje.
Nga ana tjetër, si pasojë e këtij zjarri tragjik, janë identifikuar 22 persona të dyshuar për ngjarjen, ndërsa Prokuroria ka kërkuar arrestim afatshkurtër për 14 prej tyre.