Vizita e Sorensen, Beogradi këmbëngul në Asociacion si kusht për dialogun

Pas vizitës në Prishtinë, i dërguari special i BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sørensen, qëndroi në Beograd, ku u takua me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq dhe ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq.

Nuk ka njoftime për takim me presidentin serb. Bisedimet u përqendruan te vazhdimi i dialogut, situata e sigurisë në Kosovë, pozita e komunitetit serb dhe kërkesa e Beogradit që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të mbetet kusht kyç për normalizim.

Beogradi zyrtar i përcolli sot përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kushti kryesor për çdo hap të mëtejshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Kryenegociator serb Petar Petkoviq deklaroi se për formimin e Asociacionit duhet një angazhim më i madh i bashkësisë ndërkombëtare.

“Për çdo përparim të prekshëm në dialog, është e domosdoshme të fillohet me bisedime mbi draftin e statutit të Asociacionit”, tha Petkoviq duke theksuar se shëndetësia dhe arsimi janë shtyllat kryesore të mbijetesës së komunitetit serb në Kosovë.

Me Sorensen u takua edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq i cili tha se nevojitet një angazhim më i madh ndërkombëtar dhe respektimi i të drejtave të komunitetit serb.

I dërguari special i BE-së erdhi në Beograd pas vizitës në Prishtinë. Aktualisht nuk ka njoftime për një takim të tij me presidentin e Serbisë. Herën e fundit, Sorensen dhe presidenti serb u takuan në gusht të vitit 2025, kur Beogradi kishte theksuar rëndësinë e formimit të Asociacionit për vazhdimin e dialogut.

Ndërkohë, sot në Beograd qëndroi edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Francës, Jean-Noël Barrot, i cili ka përmendur Kosovën. Duke folur për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ai tha se palët duhet të zbatojnë angazhimet që kanë nënshkruar, me mbështetjen e përfaqësuesit special të BE-së.

Ndryshe analistë politikë në Beograd vlerësojnë se përparimi real në dialog nuk është i mundur pa zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura, duke theksuar se procesi ka hyrë në fazë stagnimi pikërisht për shkak të mungesës së implementimit./rtk

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish