Kombëtarja e Kosovës U18 në volejboll ka kaluar në fazën e dytë, duke triumfuar në tavolinë ndaj Serbisë në grupmoshat deri U18, për ndeshjen kualifikuese për Kampionat Evropian.
Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv, sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës Valon Nikqi, i cili theksoi se ndeshja është regjistruar me rezultat zyrtar në favor të volejbollistëve kosovarë.
Nikqi theksoi se Serbia nuk u paraqit me arsyetimin se disa lojtarë të tyre janë me temperaturë.
“Serbia nuk ka dalë, po jemi duke e pritur arsyetimin zyrtar. Në bazë të informacioneve që kemi, arsyetimi është se disa lojtarë te tyre janë me temperaturë”, ka thënë Nikqi.
Kështu Serbia edhe njëherë tjetër nuk ka ‘guxim’ të ballafaqohet me volejbollistët kosovarë, ani se kjo gjë ka ndodhur edhe në sportet e tjera.
Përndryshe, ndeshja pritej të luhej në orën 15:00 në Strumicë të Maqedonisë së Veriut. /kk