Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot në Shkup u shpreh e bindur se mund të tejkalohen pengesat për Maqedoninë e Veriut në rrugën e anëtarësimit për në Bashkimit Evropian.
“Ne kemi qëllim të qartë, hapjen e klastereve sa më parë. Në interes të Maqedonisë së Veriut është që të jemi të suksesshëm (me ndryshimet kushtetuese). Për mua e rëndësishme është të shikojmë nga e ardhmja, jo nga e kaluara”, tha Von der Leyen.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickovski, vlerësoi lartë përkushtimin e Von der Leyen për zgjerimin sa më parë të BE-së.
“Presim që BE-ja së bashku me ne të ndihmojë në gjetjen e mënyrave për të vazhduar rrugën tonë të integrimit evropian, në të njëjtën kohë duke respektuar pikëpamjet legjitime të qytetarëve tanë se në të ardhmen nuk do të përballemi me kërkesa që janë në kundërshtim të thellë me idetë dhe vlerat mbi të cilat mbështetet BE-ja”, tha Mickovski.
Shefja e Komisionit Evropian qëndroi për vizitë në Shkup, në kuadër të turneut të saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.