Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të hënën pritet të qëndrojë në Prishtinë.
Sipas një komunikate për medie të zyrës së BE-së, von der Leyen këtë vizitë do ta zhvilloj në Kosovë në kuadër të qëndrimit të saj katërditor në rajon, ku do ta paraqes planin e rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Bëhet e ditur se von der Leyen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën do të nisë një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ky do të jetë një rast për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Të hënën ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti”, thuhet në komunikatë.