Kreu i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha i është bashkuar reagimeve pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, ku një zyrtar policor ka humbur jetën dhe janë plagosur dy të tjerë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Basha i ka bërë thirrje Beogradit që të dënojnë dhe të distancohen nga kjo ngjarje e rëndë.
“I tronditur nga vrasja e punonjësit të Policisë së Kosovës dhe plagosja e një tjetër punonjësi ne Leposaviq. Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe kolegët e punonjësit që humbi jetën në krye të detyrës si dhe për daljen nga rreziku e shërimin e kolegut të tij të plagosur”, thuhet në reagimin e Bashës.
Ndërsa, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dënuar sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës, teksa ka theksuar gjithashtu se kjo ngjarje e rëndë dhe e përsëritur tregon domosdoshmërinë e sundimit të ligjit në vendin tonë.
“Partia e Lirisë dënon sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës në Leposaviq me pasojë vrasjen e një punonjësi policie dhe plagosjen e një tjetri. Kjo ngjarje e rëndë dhe e përsëritur tregon domosdoshmërinë e sundimit të ligjit. Mbështesim Policinë dhe autoritetet e Kosovës për të garantuar sigurinë publike dhe ndëshkuar autorët e kësaj ngjarje kriminale”, thuhet në reagimin e Metës.


























