Williams: Beogradi duhet të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë

Paul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, beson se vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, bie ndesh me interesat e qytetarëve serbë në Kosovë.

Prof. Williams vlerëson se procesi i normalizimit ka ngecur sepse Serbia refuzon faktin që Kosova është e pavarur dhe shkakton provokime dhe pengesa, përfshirë së fundmi përpjekjet për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Prof. Williams, thotë se amerikanët dhe evropianët duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se duhet të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë. 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s prof. Williams, i cili ishte këshilltar për delegacionin e Kosovës në Rambuje, në bisedën me kolegen Keida Kostreci, e cilëson Kosovën një histori të madhe suksesi, pasi me atë ndërhyrje u ndërprenë mizoritë dhe u shpëtua e ardhmja e saj, por edhe sepse SHBA mësoi vlerën e ndërhyrjes humanitare dhe mbrojtjes së aleatëve dhe miqve të saj.

Profesor Williams, Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kritikuan këtë vendim. Cili është mendimi juaj për këtë qëndrim nga ana e subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës?

Paul Williams: Është një zhgënjim i vërtetë që Lista Serbe ka vendosur sërish të bojkotojë votimet. Ka kaluar një çerek shekulli tashmë që Kosova ka qenë e pavarur dhe në rrugëtimin drejt demokracisë, funksionimit të shtetit ligjor. Dhe kjo taktikë e bojkotimit të votimeve demokratike nuk është një mënyrë serioze për të mbrojtur interesat e shtetasve serbë të Kosovës. Kosova ka demonstruar aftësitë e saj për t’iu përmbajtur shtetit ligjor, për të patur zgjedhje demokratike. Sinqerisht ka ardhur koha që drejtuesit e serbëve në Kosovë ta përqafojnë plotësisht demokracinë, ashtu siç angazhohen të gjithë të tjerët në Evropë në procesin politik.

Ky është vetëm ndërlikimi i fundit që nuk është i lidhur vetëm me veriun, por në përgjithësi me procesin e ngecur të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, duke komentuar mbi këtë proces tha se palët nuk janë të gatshme për normalizim. Çfarë faktorësh ndikojnë sipas jush tek kjo mungesë vullneti për të respektuar marrëveshjet e vitit të kaluar dhe për të ecur përpara me normalizimin?

Paul Williams: Mendoj se është e rëndësishme të mos ndiqet versioni i Bashkimit Evropian apo i Serbisë, sipas të cilit të dyja palët janë përgjegjëse, se është një ngurrim i dyanshëm. Sinqerisht, sa herë bëhet përparim drejt normalizimit, Serbia do ta ngacmojë Kosovën, ose do të krijojë një provokim në mënyrë që të mund të thotë ‘shikoni, qeveria kosovare nuk është dhe aq e interesuar për këtë normalizim siç jemi ne’. Mendoj se Serbia nuk ka arritur ta kuptojë se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, se është një vend i pavarur dhe në rrugëtimin drejt Evropës. Serbia nuk ka vendosur ende nëse po shkon drejt Evropës apo drejt Rusisë dhe mendoj se vazhdon të mbahet pas Kosovës si diçka që mund ta përdorë për të tërhequr vëmendjen nga pozicioni i saj në Evropë. Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, për t’u demokratizuar, për t’u reformuar ekonomikisht, për të qenë një aleate e mirë e Perëndimit. Ka ardhur koha për amerikanët dhe evropianët që ta mbështesin plotësisht iniciativën politike të Kosovës dhe t’ia bëjnë të ditur Serbisë se tani është koha për të vendosur: Perëndimin apo Lindjen? Nëse Serbia shkon drejt Lindjes, s’ka problem. E shohim se çfarë u ka ndodhur atyre që e kanë ia kanë bashkangjitur të ardhmen e tyre Rusisë. Nuk u ka dalë dhe aq mirë.

Nga ana tjetër, Presidenti Aleksandar Vuçiç nuk po i plotëson detyrimet e palës serbe. Treguesi më i fundit është përpjekja për të bërë gjithçka për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian, megjithëse sipas marrëveshjeve të vitit të kaluar, të dyja palët nuk duhet të pengojnë integrimin e njëra-tjetrës. Si do t’i karakterizonit këto veprime?

Paul Williams: Mendoj se këto veprime heqin të gjitha dyshimet apo paqartësitë për përqasjen e Serbisë ndaj Kosovës. Këshilli i Evropës ofron mundësinë që popullsia e Kosovës, qofshin shqiptarë apo serbë, apo të tjerë, të mund të sjellin çështjet e tyre të të drejtave të njeriut tek Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Është një mënyrë për të qenë pjesë e komunitetit evropian të vendeve, pra vendeve të tjera që janë të përkushtuara ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor. Pra lind pikëpyetja se përse Serbia kundërshton praninë e Kosovës në Këshillin e Evropës, që në fakt do të ndihmonte për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e njeriut të popullsisë serbe në Kosovë. Serbia është thjesht e interesuar që t’i kundërvihet Kosovës dhe të gjejë mënyra për të dëmtuar pavarësinë e saj politike, dhe ka ardhur koha për evropianët dhe amerikanët ta kuptojnë bllofin e Serbisë dhe ta marrin seriozisht zgjidhjen e kësaj çështjeje mes Serbisë dhe Kosovës.

Trysnia e shtuar për të zgjidhur këtë çështje, nuk mund të shihet jashtë kontekstit të luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve që Serbia të mos rreshtohet krah Rusisë por të shikojë nga Perëndimi, apo jo?

Paul Williams: Perëndimi është përpjekur tashmë prej tre dekadash për ta tërhequr Serbinë brenda kampit perëndimor. Serbisë i duhet Perëndimi. Perëndimit nuk i duhet Serbia. Serbia e shikon të ardhmen e saj, dhe ka qenë gjithnjë e qartë për këtë, të lidhur me Rusinë. Dhe nëse e shikoni statusin e Rusisë, për momentin po humbasin ose janë në ngërç përballë një vendi që ka qenë ish-republikë e Bashkimit Sovjetik dhe është sa një çereku i përmasave të saj, ka një të katërtën e prodhimit të saj ekonomik. Rusia është realisht një tigër prej letre. E ardhmja e Evropës, lindje apo perëndim sido që të dëshironi ta përkufizoni, nuk gjendet në duart e Rusisë. Është në duart e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Nëse Amerika dëshiron të ngrejë shpatullat dhe ta lërë Serbinë të ndjekë fatin e saj, kjo është në rregull. Ajo çfarë kemi mësuar nga konflikti në Ukrainë është se duhet të investohemi edhe më shumë tek marrëdhënia me aleatët tanë, pasi kështu mund të kemi ndikim tek rendi global dhe ta mbajmë botën të sigurt, jo duke akomoduar dhe kënaqur armiqtë, apo ata që janë të pavendosur, si Serbia.

Presidenti Vladimir Putin ka paraqitur si precedent ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke vendosur një paralele mes tij dhe agresionit rus në Ukrainë. Si e shihni këtë retorikë?

Paul Williams: Putini ka një histori të gjatë të shtrembërimit të historisë, ligjit dhe precedentëve. Serbia kishte kryer krime mizore në Kroaci, kishte kryer krime mizore dhe gjenocid në Bosnje dhe po kryente krime mizore në Kosovë. Zgjidhja e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës ishte pavarësia. Nëse je pjesë e një territori, një vendi që po përpiqet të vrasë njerëzit e vet, ke të drejtën të shkëputesh dhe të bëhesh i pavarur, për të mbrojtur popullin tuaj. Asnjë nga këto fakte nuk vlen për situatën e Ukrainës. Ukraina ishte demokratike, e bazuar në shtetin ligjor, me orientim evropian. Putini thjesht nuk donte që Ukraina të rreshtohej në krah të Perëndimin dhe kështu ai vendosi që fillimisht të të merrte një pjesë të territorit Krimenë dhe Donbasin. Perëndimi nuk bëri asgjë dhe ai vendosi të hyjë për të marrë gjithçka. Fatmirësisht, ukrainasit iu kundërvunë, në këtë rast të mbështetur nga amerikanët dhe evropianët, dhe ata kanë qenë në gjendje ta ndalin dhe në një farë mase ta frenojnë atë agresion, por nuk ka asnjë paralele mes asaj që bëri komuniteti ndërkombëtar për të mbrojtur popullin e Kosovës nga Serbia, që mund të thuash që ishte një regjim gjenocidal, bazuar tek ajo që kishin bërë në Bosnje. Nuk ka krahasim me atë që po bën Rusia. Përkundrazi, siç po e shohim me akt-padinë ndaj Putinit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, rusët kanë kryer krime, mizori kundër popullit të Ukrainës. Pra, ata janë më shumë në pozitën që ishte Serbia.

Presidenti Vuçiç po përpiqet gjithashtu të ndalojë një rezolutë të OKB-së muajin e ardhshëm, që do ta quante gjenocid atë që bëri Serbia në Bosnjë. Si e shihni këtë përpjekje të tij për një dokument që nuk do të kishte fuqi detyruese?

Paul Williams: Sepse politikat që ndoqi Millosheviqi, dhe agresioni territorial në Kroaci, gjenocidi kundër Bosnjës dhe krimet mizore ndaj Kosovës, kanë ende gjurmë të thella në qeverinë e Vuçiçit. Nëse do të kishte pasur një tranzicion të vërtetë demokratik, po të kishte ndodhur një transformim i regjimit serb, pushtetit serb, atëherë nuk do t’i shqetësonte një nismë e tillë. Shumë vende që kanë qenë në situata ku udhëheqësit e mëparshëm kanë kryer krime mizore ose gjenocid janë të gatshëm ta pranojnë atë dhe të gatshëm të thonë po, kjo është e kaluara. Tani kemi kthyer një faqe dhe jemi një qeveri e re. Por Serbia ende nuk është shkëputur nga periudha e Millosheviqit. Dhe kjo është arsyeja pse janë shumë kundër njohjes së faktit që regjimi i Millosheviqit kreu gjenocid në Bosnje, dhe mendoj se është e rëndësishme që vendim-marrësit e sotëm të jenë të vetëdijshëm për këtë. Nëse ata ndjekin të njëjtin skenar të akomodimit si 30 vjet më parë dhe u bëjnë presion miqve dhe aleatëve tanë, do të kenë të njëjtat rezultate, do të kenë një proces të dështuar.

Kanë kaluar 25 vjet nga ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë për shkak të kundërshtimit nga ana e Milosheviqit që të nënshkruante një marrëveshje që do t’i jepte autonomi Kosovës. Si dikush që ishte i përfshirë në negociatat e Rambujesë, si e shihni sot atë vendim dhe si e shihni situatën sot?

Paul Williams: Sot flasim për marrëveshjen për asociacionin, bojkotim zgjedhjesh dhe targat e makinave. Mendoj se nëse shkëputemi pak dhe shohim se ku ishte situata 25 vite më parë, ishte shumë e tmerrshme për popullin e Kosovës. Ishte shumë e tmerrshme për sigurinë në Evropë. Bashkimi Evropian mezi ia doli mbanë gjatë luftës në Bosnjë; OKB-ja u delegjitimua me dështimin e misionit UNPROFOR, forcat mbrojtëse të OKB-së në Bosnjë, dhe 2 milionë njerëzit e Kosovës shumë prej të cilëve ishin dëbuar, zhvendosur, rrezikonin vërtet të zhdukeshin si popull. NATO filloi një ndërhyrje humanitare, që ishte veprimi i duhur. Iu kundërvu regjimit të Milosheviqit, për t’i thënë në thelb ‘Jo. Do ta caktojmë më në fund vijën. Nuk mundesh t’i bësh këto mizori’. Dhe e vendosën Kosovën në rrugëtimin drejt pavarësisë dhe u njoh nga mbi 100 vende. Dhe ç’është më e rëndësishme, Kosova ka pasur tranzicione paqësore demokratike, çdo herë që janë mbajtur zgjedhje. Është kaluar nga një parti tek tjetra dhe kështu me radhë. Tranzicionet drejt demokracisë janë të vështira, por Kosova e ka realizuar këtë tranzicion. Pra askush në Shtetet e Bashkuara nuk mundet të hedhë vështrimin pas dhe të thotë se ndoshta nuk duhej të ishim përfshirë politikisht, ndoshta nuk duhej ta kishim bërë ndërhyrjen humanitare. Pra sinqerisht, duke lënë mënjanë çështjet e përditshme, pamja e përgjithshme është se ky është një sukses i jashtëzakonshëm për të gjithë popullin e Kosovës të cilëve iu kursyen mizoritë dhe për të gjithë fëmijët e tyre dhe brezat e ardhshëm. Si dhe për Shtetet e Bashkuara që të kenë kuptuar vlerën e një mësimi të nxjerrë nga një ndërhyrje humanitare, dhe të mbështetjes për aleatët dhe miqtë. Do të përmendja edhe diçka tjetër, nëse na e lejon koha, se popullit të Kosovës i takon respekt i jashtëzakonshëm për atë çfarë kanë arritur. Nëse shikoni 20 vitet e fundit, ka pasur disa vende të tjera, si Iraku dhe Afganistani, ose shikoni Libinë, ku komuniteti ndërkombëtar hyri dhe ofroi hapësirat që njerëzit të ndërmerrnin një transformim demokratik. Dhe ata e shpërdoruan këtë. Nuk kanë bërë çfarë nevojitet për të pasur paqe, siguri, demokraci dhe shtet ligjor. Nuk është e lehtë. Pra pavarësisht nga shqetësimet e përditshme që mund të kenë ekzistuar në këto 25 vite, është një moment i mirë për të kuptuar se jo vetëm shpëtuam veten, jo vetëm që na ndihmuan amerikanët dhe evropianët që të shpëtonim, por kemi pasur 25 vite demokraci dhe përparim dhe shtet ligjor. Pra vështirësi të vogla këtu dhe atje, por asgjë krahasuar me vendet e tjera. Vendet e tjera kanë shpërdoruar mundësitë. Kosova nuk e ka shpërdoruar mundësinë./Zëri i Amerikës

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika